Një personit nga Gjakova i ka mbetur jashtëzakonisht shumë hatri për një gjobë që i kishte shqiptuar një polic i Kosovës. Dy javë pasi i ishte shqiptuar gjoba për kundërvajtje, personi nga Gjakova ka tentuar ta sulmoj fizikisht policin e Kosovës.
Rasti për Gazetën Sinjali është konfirmuar nga Lirije Podrimaj, zyrtare për informim nga Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës.
“Me datë, 28.10.2019 në ora 17:20, stacioni policor në Gjakovë është informuar për një rast ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’ në rrugën ‘Beqir Kastrati’ në Gjakovë”.
“Viktima e rastit (zyrtar policor) dy javë më parë i kishte shqiptuar një gjobë për kundërvajtje në komunikacion një qytetari i cili e kishte kanosur zyrtarin policor megjithatë ky i fundit nuk e kishte raportuar rastin në polici”, ka deklaruar ajo.
Podrimaj ka thënë se personi i dyshuar ka tentuar ta godas fizikisht policin e Kosovës përderisa ai kishte qenë jashtë detyrës zyrtare. Dëshmitarët kanë ndërhyrë për ta larguar personin që po sulmonte policin.
“Personi i dyshuar ka kanosur përsëri zyrtarin policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe kishte tentuar ta godas me ç’rast kanë ndërhyrë dëshmitarët e rastit dhe e kanë larguar.
Patrullat policore kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes ku është bërë arrestimi i personit të dyshuar i cili me urdhër të prokurorit të shtetit mbahet në ndalim policor. Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal për Hetime dhe lënda e kompletuar do të dërgohet në Prokurorinë Themelore në Gjakovë për procedim të mëtutjeshëm”, ka deklaruar Podrimaj./Gazeta Sinjali/.