Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve Xh. D. dhe H. R.
Sipas aktakuzës, të pandehurit pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes së substancës narkotike të llojit “heroinë” në peshë prej 19.7 gramë, si dhe e kanë mbajtur atë sasi brenda ambienteve të shtëpisë.
“Me këto veprime të pandehurit dyshohet të ketë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata njofton se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që sipas tij, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në këtë fazë të procedurës. Kjo masë sipas gjykatës u vendos edhe duke e marr parasysh se njëri nga të pandehurit Xh. D. është një person recidivist i veprave penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/