image Dugolli: Në pikat kufitare nuk është KFOR-i, atje janë doganierët dhe Policia e Kosovës

Politikë

Dugolli: Në pikat kufitare nuk është KFOR-i, atje janë doganierët dhe Policia e Kosovës

news image

Nënkryetari i Komisionit për Siguri dhe njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli, ka thënë se KFOR-i tashmë nuk është në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, transmeton Gazeta Sinjali.

Ai këtë e ka thënë teksa komentonte një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku ky i fundit thoshte se “ne në veri duam që t’i marrim nën kontroll pikat 1 dhe 31, por jo me KFOR-in aty”.

“KFOR-i nuk është në pikat kufitare, atje janë policët dhe doganierët e Kosovës. KFOR-i është prezent në Prishtinë e Ferizaj, ne nuk jemi kundër KFOR-it. Në pikën kufitare janë policët dhe doganierët e Kosovës”, ka thënë Dugolli në Klan Kosova.

Ai ka njoftuar se që nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në lidhje me targat, janë lëshuar mbi 17 mijë letra ngjitëse për mbulimin e simboleve shtetërore serbe.

Më tej, ai tha se Kosova nuk është bërë hisedare me Serbinë në veri të vendit, por për herë të parë u soll si shtet sovran.

“Pra, ato që Serbia ua kërkon ngasësve të cilët kanë targa kosovare, ato po ua kërkojmë edhe ne atyre me targa serbe”, është shprehur Dugolli.

Tutje ai ka folur edhe mbi situatën e krijuar në këtë komision gjatë raportimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Dugolli tha se arroganca dhe tregimi i muskujve nuk i shkon kryetarit të Komisionit për Siguri, Bekë Berishës.

/Gazeta Sinjali/