“Po më dukesh vajzë e mirë dhe dua të të ndihmoj”, ky ishte premtimi që i ishte bërë vajzës me inicialet A.H., 15 vjeçe, nga një burrë më i vjetër.
Ajo çfarë pësoi pas kësaj, sipas A.H., do të çonte në eksperiencën më të rëndë të jetës së saj.
Në një rrëfim për REL, kjo vajzë që tani është 18-vjeçare tregon se si ra pre e mashtrimit, u trafikua dhe u dhunua seksualisht për disa javë.
A.H. nga Kosova në atë kohë jetonte me prindërit dhe vëllain e saj.
“Si fëmijë, kujtoj zhurma, konflikte, e shumë pak momente gëzimi”, tregon ajo.
Problemi kryesor në familjen e saj ishin kushtet e vështira ekonomike. Kjo po i shkaktonte stres të madh psikologjik kësaj adoleshenteje, pasi, siç thotë, secila kërkesë e saj “dukej si kërkesë luksi”.
“Rrethi im, me të cilin shoqërohesha, më shtynte çdo herë rreth lakmisë e nevojës për një jetë pa vështirësi ekonomike”, thotë A.H.
Për këto probleme ajo i ishte rrëfyer në detaje edhe një personi më të moshuar se ajo, që e takoi gjatë një feste me shoqërinë e saj.
Pas premtimit se do t’i ndihmojë, A.H kaloi natën me të.
“Më kujtohet mëngjesi i tmerrshëm mbas asaj nate kur më tha zgjohu e hajde se po të pret dikush. Kur e pyeta se kush, më tha ‘shpejt e kupton’”, tregon ajo.
Pas kësaj, ajo thotë se ai burrë ia kishte marrë telefonin duke e kërcënuar se çdo veprim kundërshtimi do t’i kushtonte familjes së saj.
A.H. thotë se ishte dërguar në “një banesë të vogël e të ndotur”, ku më pas për një muaj e gjysmë u detyrua të kryej marrëdhënie seksuale me burra që pretendonin se kishin paguar për atë punë.
“Për një muaj e gjysmë [qëndrova] e mbyllur dhe shumë herë pa vetëdije, e torturuar dhe e maltretuar”, rrëfen ajo.
Pas kësaj eksperience, ajo kishte arritur të largohej. Thotë se është ndier keq emocionalisht, duke kaluar periudha ankthi e stresi.
Ajo arriti të marrë ndihmë e të strehohej në një qendër e cila merret me mbrojtjen e viktimave të trafikimit.
“Seancat me psikologë klinikë, programet e ndryshme psiko- sociale, edukative arsimore dhe shëndetësore, programet e vetëdijesimit më kanë ndihmuar që sot të mendoj jetën me një këndvështrim tjetër”, thotë A.H.
A.H. ka arritur që rastin ta procedojë në organet gjyqësore dhe ndonëse nuk jep detaje, ajo lë të kuptojë se drejtësia në rastin e saj ka arritur në vend.
Megjithatë, shumë viktima tjera të trafikimit në Kosovë ende presin drejtësi.
Më 30 korrik shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Trafikimit të Njerëzve. Këtë vit, Kombet e Bashkuara e shënojnë këtë ditë duke u fokusuar në rolin e teknologjisë moderne, si një mjet që mund të mundësojë dhe pengojë trafikimin e qenieve njerëzore.
Raportet ndërkombëtare nuk e radhisin lart Kosovën sa i përket luftimit të trafikimit me qenie njerëzore.
Sipas një raporti të Departamenti amerikan i Shtetit për vitin 2021, të publikuar më 19 korrik, ndër problemet kryesore theksohen “dënimet e ulëta për trafikantët”.
“Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime nën kufirin minimal prej pesë vjetësh heqje lirie”, thuhet në raport.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, “kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë deri në 12 vjet”.
Sipas të dhënave që Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dhënë Radios Evropa e Lirë, aktualisht janë 70 lëndë të pazgjidhura lidhur me trafikimin me njerëz, ndërsa tani për tani 188 persona akuzohen për këtë vepër.
Në gjashtëmujorin e këtij viti, sipas KGJK-së, 10 persona janë dënuar me burgim dhe katër persona janë dënuar me gjobë.
Ata nuk janë përgjigjur në atë se sa vite burgim janë shqiptuar në këto raste. Ndërkohë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm deri në qershor të këtij viti janë identifikuar nëntë viktima të trafikimit.
Sipas raportit të DASH-it, gjatë vitit 2021, një gjykatës ka dënuar një trafikant me pesë vjet heqje lirie, katër trafikantë u dënuan me tre vjet, një u dënua me dy vjet me kusht dhe me një gjobë prej 300 eurosh.
Raporti i DASH-it, ndërkohë e portretizon më mirë mbrojtjen e viktimave të trafikimit në Kosovë.
Sipas këtij raporti, “janë rritur përpjekjet për mbrojtjen e këtyre viktimave”.
Ministria e Financave, në kuadër të së cilës funksionon edhe Departamenti i Politikave Sociale, ka thënë për REL-in se “mbështet sektorin joqeveritar që punon direkt në mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave të trafikimit”.
Sipas saj, në periudhën janar-dhjetor 2021, në dy strehimore, gjegjësisht strehimoren shtetërore dhe Qendrën për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, janë strehuar gjithsej 27 viktima.
Në mesin e tyre 24 ishin fëmijë dhe 13 të rritur. Shumica e viktimave ishin gra, ndërsa vetëm një ishte burrë.
Ndihmën e profesionistëve përmes strehimoreve po e sheh si shumë të rëndësishme edhe A.H., e cila thotë se këtë ndihmë duhet ta kërkojë secila viktimë.
“Të kërkojnë ndihmë…të gjejnë forcë brenda vetes. Të mos besojnë lehtë dhe të vetëdijesohen që rrugët problematike sjellin pasoja”, porosit ajo.