Kampionja olimpike e Rio 2016, xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi, ka humbur qysh në luftën e parë të saj në Lojërat Olimpike Tokyo 2020, raporton Gazeta Sinjali Sporti.
Kelmendi pësoi humbjen e parë nga hungarezja, Reka Pupp.
Një waz-ari i marrë në shënim të artë, bëri që Kelmendit t’i ndalet synimi për të fituar një tjetër medalje olimpike.
Pas eliminimit të saj nga këto gara, ka reaguar trajneri i saj, Driton Kuka, e cila e ka quajtur krenari të veprimtarisë së tij. Ai e ka lutur kompionen që të mos hidhërohet sot, duke ia përmendur sukseset e saj që i kanë sjellë shumë gëzime popullit shqiptar.
Postimi i plotë:
Krenaria e veprimtarisë time …Majlinda të falënderoj për jetë! Do jesh gjithmonë Kampione Olimpike, Botërore e Evropiane! Sot mos u hidhëro, puna e sakrifica, djersa e gjaku që ke derdhur për veten tande, për mua, familjet tona, popullin shqiptar t’u ka shpërblyer gjatë karrierës. Mos u hidhëro se e arta e Disit është e të gjithë neve e ekipit tonë. Mos u hidhëro sot të lutem, kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit shqiptar! Zoti të ka shpërblyer punën tande, lëndimet ishin sfida që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtnisht. Kokën lartë Majlinda! Krenar me ty deri në frymën time të fundit./Gazeta Sinjali Sporti/