image Driton Kuka: Me ujë, zjarr dhe xhudon e Kosovës nuk ka lojë!

Sporte Luftarake

Driton Kuka: Me ujë, zjarr dhe xhudon e Kosovës nuk ka lojë!

news image

Trajneri i ekipit të xhudos së Kosovës, Driton Kuka, ka shkruar për suksesin e xhudistëve kosovarë në “Tokyo 2020”.

Ekipi i xhudos, i përbërë nga pesë garues, e shkroi historinë në Lojërat Olimpike 2020, pasi i fitoi dy medalje të arta, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të medaljeve të arta nga vetëm dy pjesëmarrje olimpike.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fund javë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë.

Pak ditë më vonë, të hënën, Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Krasniqi dhe Gjakova i ndoqën hapat e atletes më të madhe kosovare dhe frymëzueses së tyre, Majlinda Kelmendit, e cila e kishte fituar medaljen e artë në Olimpiadën Rio 2016.

Në një reagim në rrjetin social Facebook pasi Loriana Kuka i mbylli garat me humbje për ekipin e xhudos së Kosovës, Kuka e postoi një fotografi të veten me pesë xhudistët të veshur në rroba tradicionale japoneze.

“Samurajët Shqiptar…Medaljet Olimpike për popullin Shqiptar së shpejti do zbarkojnë në trojet Shqiptare. Xhudistët e ekipit tonë me sot i përfunduan garat në Lojëra Olimpike! Dy Medalje të Arta! Ende po më duket si ëndërr e mirë 5 garues e dy të arta! Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Noren! Ashtu siç ishte e arta e Majlindes. Ekipi jemi ne që stërvisim, gëzohem e qajme së bashku në fitore e humbje,aty qëndron forca jonë e madhe!” shkroi Kuka.

Majlinda dështoi ta përsërisë suksesin e Rios pasi u mund qysh në luftën e parë. Akil Gjakova ishte shumë afër medaljes së bronztë, por nuk ia doli për pak. Ndërsa Loriana Kuka u mund në luftën e parë, po ashtu.

Kuka shtoi: “Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trenerit,por kjo krejt është shpaguar… 2 Olimpiada 3 Medalje të Arta! Me dhjetra medalje Evropiane e Botërore! Këta jemi ne! I gëzofshim medaljet të gjithë ne, Shqiptarët kudo që jemi! Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetra e mijëra miqve. Ata që kanë menduar që medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit, jeni mashtruar në llogari! Spo flas më shumë për sojin  e juaj se sdua ta prish festën e madhe! E kam thanë edhe më herët. Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës ska lojë! Kosova mbi të gjithë”.

Ekipi i xhudos, i udhëhequr nga trajneri Driton Kuka, pritet të kthehet në Kosovë të hënën.

11 garues kosovarë morën pjesë në Tokio 2020, prej të cilëve pesë ishin xhudistë. /Gazeta Sinjali Sporti/