image Drejtori i Shëndetësisë në Shtime ndërton pa leje në oborr të shkollës, Inspekcioni ndal punimet

Kosovë

Drejtori i Shëndetësisë në Shtime ndërton pa leje në oborr të shkollës, Inspekcioni ndal punimet

news image

Në kohë pandemie, një aneks i një biznesi është ndërtuar brenda 10 ditësh në oborrin e shkollës fillore, “Emin Duraku” në Shtime.

Për qytetarët, ndërtime të tilla janë të papranueshme, aq më pak kur nuk kanë leje.

Ata thonë se kjo pronë duhet të mbetet në shfrytëzim për nxënësit e shkollës, raporton Koha.

Për këtë kanë reaguar edhe asamblistë të Kuvendit Komunal të Shtimes.

Rexhep Jashari nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kur ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë rreth këtij ndërtimi, ata kanë deklaruar se nuk janë në dijeni për të.

Në këtë biznes familjar, është bashkëpronar edhe Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Labinot Beqa.

Ai ka thënë se prona në të cilën është e ndërtuar shkolla është pronë e Agjencisë të Pyjeve të Kosovës.

Si rrjedhojë, ai thotë se lejen e ka marrë nga ky institucion.

Për momentin ndërtimet për këtë aneks janë ndalur, sepse pronarët janë në procedura të marrjes së lejes ndërtimore nga Komuna e Shtimes.

Burim Fazliu, inspektor në këtë komunë, ka shtuar se pronarët e biznesit kanë afat 1 muaj për t’u pajisur me leje, ndryshe, janë të detyruar që ta rrënojnë objektin.