Një mega aksion i Inspektoratit Policor të Kosovës kundër korrupsionit në Policinë e Kosovës sapo ka filluar. Gjatë këtij aksioni, IPK pritet të arrestojë 48 zyrtarë policorë në pikat kufitare në Qafë Morinë dhe në Qafë të Prushit, si të dyshuar për korrupsion.
Për aksionin që po zhvillohet haber nuk ka drejtori i Policisë Kufitare, Nexhmi Krasniqi. Gazeta Sinjali ka kontaktuar Krasniqin.
“Nuk kom kurrfarë informate, mundeni me ju drejtu IPK-së”, tha Krasniqi shkurt për Sinjalin dhe e mbylli telefonin.
Burimet e Sinjalit njoftuan se si rezultat i një hetimi të IPK-së, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, i nisur një vit më parë 48 zyrtarë policorë pritet të vihen në pranga, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.
Në mesin e zyrtarëve policorë të identifikuar si të dyshuar për korrupsion janë edhe dy komandantët e pikave kufitare që ishin objekt hetimi, raporton Gazeta Sinjali.
Përveç zyrtarëve policorë, në pranga do të bien së paku edhe dy zyrtarë doganorë, të cilët për një periudhë kohore kanë shërbyer në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafa e Prushit.