image Kryeprokurori Isufaj e konfirmon për Sinjalin: Aksioni sapo ka filluar, do të arrestohen policë e doganierë

Siguri

Kryeprokurori Isufaj e konfirmon për Sinjalin: Aksioni sapo ka filluar, do të arrestohen policë e doganierë

news image

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një mega aksion të Inspektoratit Policor të Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, në pikat kufitare në Qafë Morinë dhe në Qafë të Prushit.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, i cili tha se aksioni ka nisur dhe po zhvillohet në dy pika kufitare.

“Po, aksioni sapo ka filluar në dy pika kufitare, do të arrestohen një numër jo i vogël i zyrtarëve policorë dhe doganierë“, tha Isufaj për Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Speciale njoftuan se si rezultat i këtij hetimi, rreth 50 zyrtarë policorë pritet të vihen në pranga të IPK-së nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.

Në mesin e zyrtarëve policorë të identifikuar si të dyshuar për korrupsion janë edhe dy komandantët e pikave kufitare që ishin objekt hetimi, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç zyrtarëve policorë, në pranga do të bien së paku edhe dy zyrtarë doganorë, të cilët për një periudhë kohore kanë shërbyer në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafa e Prushit.

/GazetaSinjali/