image Prokuroria Speciale do të kërkojë masën e paraburgimit për policët dhe doganierët e dyshuar për korrupsion

Drejtësi

Prokuroria Speciale do të kërkojë masën e paraburgimit për policët dhe doganierët e dyshuar për korrupsion

news image

Një hetim kundër korrupsionit dhe kontrabandës në pikat kufitare në Qafe Morinë dhe në Qafë të Prushit, i nisur rreth një vit më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, rezultoi me identifikimin e dhjetëra zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion.

Aksioni për arrestimin e 48 policëve dhe së paku dy doganierëve ka filluar që më shumë se 1 orë. Në mesin e zyrtarëve policorë të identifikuar si të dyshuar për korrupsion janë edhe dy komandantët e pikave kufitare që ishin objekt hetimi.

Toger Ramiz Ahmeti, komandant i pikës kufitare Qafë Prushi dhe toger Xhavit Lokaj nga Gjakova, si komandant i pikës kufitare Qafë Morinë, regjioni perëndimor i kufirit Gjakovë, po dyshohen se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Speciale kanë njoftuar se policët dhe doganierët që do të prangosen dyshohet se për muaj të tërë u kanë  mundësuar dhjetëra qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave.

Për të njëjtit, PSRK do të kërkojë masën e paraburgimit, pas sigurimit të provave të shumta që konfirmojnë dyshimin e bazuar për përfshirjen e tyre në korrupsion. Sipas Prokurorisë, përveç dyshimit të bazuar, ekziston edhe rreziku i ikjes dhe ndikimit në procesin e të provuarit.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit do të dorëzohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ku pritet të mbahet edhe seanca dëgjimore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/