Polici që mbeti i lënduar rëndë nga aksioni i 28 janarit në Zhur të Prizrenit, po vazhdon të mjekohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, mjekimi aty nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë, pasi që Konsiliumi i mjekëve sot ka vendosur që atij i duhet një trajtim më specifik.
Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar shefi i Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka.
Ai në një bisedë telefonikë për gazetën, ka thënë se pacientit i duhet një trajtim që nuk mund të bëhet në klinikën e Oftalmologjisë.
“Jemi konsultuar sot me Konsiliumin e Oftalmologëve, mjekëve të Kirurgjisë së Syrit edhe është marrë vendim që pacienti në fjalë ka nevojë për një trajtim që nuk mundet me u bë në klinikën tonë. Ky trajtim pritet të bëhet ose brenda vendit ose jashtë vendit, por jashtë QKUK-së”, ka thënë Uka.
Më tutje, ai ka treguar që polici ka nevojë edhe për një intervenim kirurgjik në sy si dhe vendimi për këtë trajtim më specifik do të merret gjatë ditës.
“Ka mbete me u vendosë në seancat e Konsiliumit të Oftalmologjisë. Ka nevojë për edhe një intervenim kirurgjik në sy. Vendimi pritet të merret gjatë ditës”, ka thënë ai.
Mbrëmjen e 28 janarit, një polic mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u lënduan rëndë, si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit. I gjithë incidenti ndodhi teksa policët po kryenin një bastisje në një rast për narkotik./Gazeta Sinjali/