image Drecun: Nuk pres marrëveshje sot, Kurti do të kërkojë sërish njohje reciproke i shtyrë nga opozita

Politikë

Drecun: Nuk pres marrëveshje sot, Kurti do të kërkojë sërish njohje reciproke i shtyrë nga opozita

news image

Kryetari i Komisionit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Millovan Drecun, ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel nuk pritet të ketë marrëveshje, por vetëm negociata.

Ai u shpreh se plani evropian parashihte marrëveshje bazë, vazhdim të bisedimeve dhe marrëveshje përfundimtare.

“Sot ne vetëm mund të flasim, të arrijmë një marrëveshje në parim se çka do të ndodh me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të paraqesim vijat tona të kuqe dhe të shohim se cili do të jetë udhërrëfyesi i bisedimeve të mëtejshme. Nuk është për t’u pritur se diçka do të përcaktohet sot…” – u shpreh Drecun në TV Pink.

Sipas tij, Perëndimi po synonte që përmes kësaj marrëveshjeje bazë t’i hapte derën anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Duhet të kuptojmë se e gjithë kjo histori ka për qëllim që për shkak të Ukrainës, NATO-ja të vendos dominim absolut dhe të krijojë kushtet që Kosova të aplikojë për anëtarësim. Duke arritur marrëveshje fillestare me Beogradin, ata mund t’u thonë shteteve mosnjohëse se kanë arritur një zgjidhje politike,” – shtoi Drecun, përcjell Kosovo-Online.

Drecun tha se pret që Kurti të insistojë në njohjen reciproke duke dhënë arsyen se po i bën presion opozita.

“Pala jonë do të kërkojë formimin e Asociacionit, sepse nëse nuk është formuar diçka për të cilën është rënë dakord para 10 vitesh, nuk mund të kesh siguri për gjithçka tjetër që është rënë dakord të respektohet,” – argumentoi më tej ai.

/GazetaSinjali/