Konfliktet në familjet kosovare janë mjaft të shpeshta dhe jo rrallëherë këto raste kanë përfunduar në Polici. Mosmarrëveshjet për prona, paratë e arsye të ndryshme janë motivet që i shtyjnë çiftet, baballarët më fëmijë, vëllezërit e motrat, por edhe anëtarët tjerë që të përshihen në përleshje të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar së fundi edhe tre anëtarë të një familjeje në Prizren, pasi kryefamiljari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tyre të mitur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktimat kanë denoncuar rastin në Polici dhe si rrjedhojë i dyshuari është vënë në pranga.
Drama nuk përfundoi me arrestimin e të dyshuarit, pasi vetë 49-vjeçari u desh të dërgohej me urgjencë në spital, për shkak se ka deklaruar se ka konsumuar detergjent për pastrim [shampon].
Pas marrjes së tretmanit mjekësor, me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.