Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkarkuar nga detyra shefin e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, Kreshnik Gashin, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar nga zyra e kryeministrit, Antigona Baxhaku.
“Ai është shkarkuar nga detyra para disa ditësh nga ana e KM-së”, thuhet në përgjigjen e Baxhakut.
Sipas ligjit në fuqi, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së, bëhet në koordinim mes presidentit dhe kryeministrit.
Kryeministrit Hoti ishte dakorduar me ushtruesen e detyrës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e Gashit.
Por, as Presidenca e as Kryeministria, nuk ka treguar arsyet e largimit nga detyra të shefit të AKI-së.
Është thënë vetëm se shkarkimi i Gashit bazohet në ligjin për AKI-në, sipas të cilit rregullohen aktivitetet, të cilat nuk i lejohen agjencisë.
U.d e Presidentit, Vjosa Osmani, pas Gashit, e ka pezulluar me 15 dhjetor nga detyra, sekretarin e zyrës së presidentit, Driton Gashin, nën dyshimet për shkelje të rëndë të detyrave të punës. Gashi më parë ka qenë shef i AKI-së.
Kreshnik Gashi ishte emëruar në krye të inteligjencës kosovare në nëntor të vitit 2019, nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Ramush Haradinaj, në dakordim me ish-presidentin Hashim Thaçi.