Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një rast të dhunës në familje, ku viktimë ishte një grua, e cila ka përjetuar dhunë nga i biri. Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Mihajl Grameno’ më 31 gusht në Gjakovë.
Në ditën e denoncimit të rastit, i dyshuari nuk u gjet nga Policia në shtëpinë e tij, ndërkohë që Sinjali ka mësuar se ai është dorëzuar më 1 shtator, me ç’rast është intervistuar nga hetuesit policorë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “dhunë në familje”.
Detajet e rastit të dhunës në familje Sinjali raportoi mbrëmë me burime nga Prokuroria se viktima e rastit, një 53-vjeçarje, në hall me të birin ka vendosur ta denoncojë në Polici, ku e shqetësuar skajshmërisht ka rrëfyer për dhunën dhe kërcënimet që mori nga 27-vjeçari.
Sinjali mëson se nga deklarata e nënës është kuptuar se djali po i shkakton probleme që një kohë, por një eskalim i tillë siç ka ndodhur herën e fundit nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për ta parandaluar më të keqen, është detyruar që të kërkojë ndihmë.
Më tutje, burimet thonë se viktima ka përshkruar në detaje se si djali i kishte thënë fillimisht ‘budallicë, e sëmurë psiqikisht e fjalë të tilla, që e shqetësuan atë, derisa iu drejtua edhe me fjalët “t’kalli”.
Përballë kësaj situate, 53-vjeçarja u largua nga shtëpia dhe u nis te një mike e saj, prej ku njoftoi Policinë dhe ka kërkuar urdhër të mbrojtjes, pasi ka frikë se djali i saj mund t’i bëjë diçka.
Si rezultat i këtij denoncimi, Policia është vënë në veprim, por s’ka arritur ta kap të dyshuarin, edhe pse është kërkuar në shtëpinë e tij, si dhe në vendin e punës.