image Dorëzohet Abelard Tahiri, detyrohet të tërhiqet nga plani për emërimin e noterëve

Kosovë

Presioni/ Dorëzohet Abelard Tahiri, detyrohet të tërhiqet nga plani për emërimin e noterëve

news image

Ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri më në fund është dorëzuar, duke hequr dorë që krye në vete t’i emërojë noterët e rinj.

Tahiri ka thënë se nuk do të bëjë asnjë veprim në lidhje me emërimin e noterëve e që është në kundërshtim më ambasadat e huaja në Kosovë. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Tahiri ka thënë se për 3-4 ditë do të “kuptohen veprimet e tij në lidhje me noterët” dhe se është në konsultim për këtë çështje me misionet diplomatike.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me misionet diplomatike që kanë treguar interesim për këtë çështje. Nuk do të ndërmarr asnjë hap të njëanshëm që mund ta dëmtojë procesin e noterisë në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

Dje, Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar nga Tahiri që të mos emërojë asnjë noter. BE ka konsideruar se vendimi për emërimin e noterëve duhet t’i lihet qeverisë së re. Por gjatë ditës se djeshme, Tahiri përmes një komunikate të lëshuar nga MD-ja ka këmbëngulur që procesi i noterëve do të përfundohet, siç ka thënë ai, në përputhje me ligjin. Pas kësaj komunikate ka reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka paralajmëruar mosnjohjen e akteve noteriale nëse vazhdohet ky proces.

Për dallim nga komunikata e djeshme, Tahiri sot ka thënë se vendimet e tij në lidhje me procesin e emërimit ose jo të noterëve do të bëhen në koordinim me përfaqësuesit e ambasadave.

Procesi i përzgjedhjes së noterëve nga Ministria e Drejtësisë ka nxitur reagime brenda dhe jashtë Kosovës. Së fundi, Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe të Oda Federale Gjermane e Noterisë i kanë drejtuar një letër të përbashkët ministrit në largim, Abelard Tahiri, nga i cili kanë kërkuar që të mos emërojë noterë aq sa kishte planifikuar Ministria e Drejtësisë. /Gazeta Sinjali/