image Jep dorëheqje edhe ministri i Shëndetësisë pas tragjedisë në Tetovë

Rajon

Jep dorëheqje edhe ministri i Shëndetësisë pas tragjedisë në Tetovë

news image

Dy ditë pas incidentit në Spitalin e Tetovës ku nga shpërthimi i një zjarri humbën jetën 14 persona, ka dhënë dorëheqje ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.

“Si mjek dhe ministër kam integritetin tim, për këtë sot për arsye morale, kam dorëzuar me shkrim dorëheqjen time deri të kryeministri Zoran Zaev” ka deklaruar në një konferencë për media, ministri Filipçe.

Të premten (10 shtator) dorëheqje kanë dhënë edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe shefi ekonomik i Spitalit, Artan Etemi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se dorëheqjen e ofron si një akt moral.

“Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënjes së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten”, ka shkruar Hasani.

Ndërsa drejtori i Spitalit, Florin Besimi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se si mjek që tërë jetën ia ka kushtuar shërimit të bashkëqytetarëve të tij, dhe si njeri i parë i Spitalit Klinik të Tetovës, me të cilin udhëheq gjatë viteve të fundit, ndjen përgjegjësi morale nga ngjarja e tmerrshme në të cilën u shuan jetë njerëzish.

“Me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë. Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm”, ka thënë Besimi.

Ai ka thënë se shpreson që të përfundojë hetimi i plotë sa me shpejtë dhe të zbardhen arsyet e zjarrit në Qendrën modulare të Klinikës së Tetovës për pacientët me COVID-19.

Dorëheqja e zyrtarëve mësohet të jetë si rrjedhojë e protestave të cilat janë paralajmëruar për ditën e shtunë në qytetin e Tetovës.

Të premten në orët e pasdites një numër i madh i qytetarëve u kanë dhënë lamtumirën e fundit 14 viktimave nga tragjedia që ndodhi të mërkurën në mbrëmje.

Megjithëse drejtuesit e institucioneve, paraprakisht kishin deklaruar se nuk është koha për dorëheqje, ata kanë nënvizuar se nuk do t’i shmangen përgjegjësisë, por njëherë do të presin përfundimin e hetimit.

“Vlerësoj se tash është koha të marrim përgjegjësinë mbi supe dhe ta menaxhojmë situatën, duke qenë të gjithë në ballë të kësaj situate”, kishte deklaruar thënë zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Por, partitë politike në opozitë, kanë theksuar se përgjegjësia morale nuk është diçka që konstatohet nga hetimet, por ajo është një çështje që e ndjejnë, siç kanë theksuar, vetëm ata që janë të njerëzishëm.

Prokuroria të premten ka bërë të ditur se në mesin e viktimave, janë dhe dy persona që nuk ishin pacientë. Por nga spitali i përkohshëm COVID-19 në Tetovë, kanë mohuar të jenë thyer protokollet për trajtimin e të infektuarve dhe se në spital, janë lejuar të kujdesen familjarët në mungesë të stafit mjekësor, raporton REL.

“Nuk kemi të dhëna të tilla, tani kërkojmë dhe do të shohim nëse ka ndodhur kjo”, ka thënë Gëzim Nuredini, koordinator i spitalit të përkohshëm për trajtimin e të sëmurëve nga COVID-19.

/GazetaSinjali/