image Donika Gërvalla nuk deklaron dy pozita në biznes dhe OJQ dhe as pasurinë familjare

Politikë

Donika Gërvalla nuk deklaron dy pozita në biznes dhe OJQ dhe as pasurinë familjare

news image

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë – dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), transmeton Gazeta Sinjali.

Ministrja nuk ka bërë deklarimin e saktë në AKK dhe njëkohësisht një veprim i tillë nuk është në përputhje me ligjin.

Sipas Betimit për Drejtësi zëvendëskryeministrja ka një biznes tjetër në Gjermani dhe mban funksionin e drejtoreshës ekzekutive.

Ajo figuron se është drejtoreshë ekzekutive në “ALBLINGUA UG”, organizatë kjo që ofron shërbime në lidhje me gjuhën shqipe dhe shërbime tjera gjuhësore, si dhe zhvillimin e aftësive për zonën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Dokumenti në gjuhën gjermane i firmës së Donika Gërvalla i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.

Ligji për Deklarimin e Pasurisë e obligon secilin zyrtar me funksione të larta publike, në këtë rast edhe ministren e Jashtme të deklarojë secilën pozitë tjetër në institucione publike ose private. Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë hyn te veprat e përcaktuara me Kodin Penal, përkatësisht nenin 430.2.

Dokumenti i përkthyer në shqip i firmës së Donika Gërvalla i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.

Veç kësaj, zëvendëskryeministrja nuk ka deklaruar pasuri të bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, pasi kështu kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë. Se a kanë pasuri familjarët e saj, kjo nuk dihet bazuar në deklarimin e Donika Gërvallës në AKK.

Gërvalla ka edhe një pozitë tjetër në një OJQ që është Fondacioni “Jusuf Gërvalla”. Aty figuron se ushtron funksionin e drejtoreshës dhe përfaqësues së autorizuar. Edhe ky funksion bie në kundërshtim me nenin 14.1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ushtrimin e Funksionit Publik që përcakton se: “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”.

Dokumenti i siguruar nga Sistemi Elektronik i Organizatave Joqeveritare në Kosovë

Në deklarimin e pasurisë që e ka bërë më 22 prill të këtij viti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Donika Gërvalla ka publikuar vetëm funksionin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe si zëvendëskryeministre. Nga këto pozita ka deklaruar të ardhura 1 mijë e 222 euro në muaj. Ka deklaruar se nga institucionet gjyqësore gjermane ka pranuar të hyra prej 27 mijë eurosh. Ka treguar se posedon tokë bujqësore dhe një shtëpi, vlera e të cilave është 120 mijë euro si dhe një veturë personale në vlerë prej 10 mijë euro.

Betimi për Drejtësi shkruan se ministrja Gërvalla, MPJD-ja dhe asistentja personale e Gërvallës, Besiana Havolli nuk iu kanë kthyer përgjigje në emailat e dërguar.

Në deklarimin e pasurisë, Donika Gërvalla e ka publikuar edhe mbiemrin e burrit të saj Schwarc derisa në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka publikuar vetëm Donika Gërvalla. Në faqen e MPJD-së nuk ka asnjë të dhënë tjetër për ministren Gërvalla

/Gazeta Sinjali/