image Donald Trump tregon arsyen e vrasjes së gjeneralit iranian

Botë

Botë/ Donald Trump tregon arsyen e vrasjes së gjeneralit iranian

news image

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha sot se gjenerali iranian u vra për të ndalur luftën dhe se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe të përgatitura për çdo reagim të mundshëm.

Presidenti amerikan bëri sot një deklaratë për mediat nga Mar-a-Lago, Florida, ku konfirmoi se ai udhëzoi ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për të kryer goditjen ajrore që vrau “terroristin numër një në botë”, Qassem Soleimani. Presidenti Trump informoi se Soleimani po përgatiste sulme ndaj diplomatëve amerikanë dhe personelit ushtarak.

Pasi bëri një përmbledhje të aktivitetit terrorist të Qassem Soleimanit, Presidenti Trump shtoi se: “ajo çfarë Shtetet e Bashkuara bënë dje, duhej të ishte bërë prej shumë kohësh. Shumë jetë mund të ishin shpëtuar… protestuesit që u shtypën brutalisht në Iran, ku mbi një mijë civilë të pafajshëm u torturuan dhe u vranë nga vetë qeveria e tyre. Ne vepruam për të ndalur një luftë. Nuk vepruam që të fillojmë luftën”, shkruan voa.

Megjithatë, Presidenti Trump nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm. “Nëse do të kërcënohen amerikanët, kudo që të ndodhen, ne i kemi të identifikuara objektivat dhe unë jam gati dhe i përgatitur për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm”, tha Presidenti Trump.