image Dogana me aksion anti-kontrabandë, kap barna pa banderola e telefona të kontrabanduar

Siguri

Dogana me aksion anti-kontrabandë, kap barna pa banderola e telefona të kontrabanduar

news image

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të parandalojë kontrabandën në tri raste të ndryshme sot, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se dogana në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë ka marrë pjesë në kontrollin e një barnatoreje në Pejë.

Në këtë barnatore është gjetur një hapësirë në pjesën e fundit të subjektit e punuar posaçërisht per fshehjen e barnave të kontrabanduara.

Sipas doganës, asnjë nga barnat e gjetura në këtë hapësirë të fshehur nuk kishin banderola të Republikës së Kosovës.

Produkte farmaceutike të cilat dyshohet se janë kontrabanduar, u kapën në një autobus udhëtarësh në Han të Elezit.

Në njoftimin e doganës thuhet se aty është gjetur një sasi e konsiderueshme e hormoneve për stimulim të fekondimit artificial.

Po në pikën e kalimit në Han të Elezit, dogana ka arritur të zbulojë edhe një rast tjetër të tentim për kontrabandim.

Kësaj radhe, 45 telefona celularë të fshehur në një automjet udhëtarësh.

“Në të tri raste mallrat janë konfiskuar, si dhe ka vazhduar  procedura kundërvajtëse”, thuhet në njoftimin e doganës.

Me këtë rast, dogana ka ftuar qytetarët që të lajmërojnë rastet e kontrabandës dhe korrupsionit përmes linjave të komunikimit pa pagesë 080050095./Gazeta Sinjali/