image Djemtë e El Chapos i izolojnë banorët e Culiacán, nuk i lënë të dalin nga shtëpia

Botë

Meksikë/ Djemtë e El Chapos i izolojnë banorët e Culiacán, nuk i lënë të dalin nga shtëpia

news image

Djemtë e bosit të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, po i detyrojnë banorët e Culiacán, kryeqytetit të Sinaloas në Meksikë, të qëndrojnë të izoluar për shkak të koronavirusit.

Me anë të disa videove të shpërndara në rrjetet sociale, anëtarë të kartelit të drogës, të udhëhequr tashmë nga Iván Archivaldo Guzmán dhe Jesús Alfredo, duken teksa patrullojnë rrugët e Culiacán të armatosur rëndë, teksa u bëjnë thirrje njerëzve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, shkruan “Daily Mail”.

“Pas orës 10 të darkës, të gjithë njerëzit duhet të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre për shkak të koronavirusit, në të kundërt do të ndëshkohen. Këto janë urdhra nga lart, nga ‘Los Chapitos’. Kjo nuk është një lojë, ne nuk po luajmë”, u bëjnë thirrje banorëve, anëtarët e kartelit të drogës.

Në anën tjetër, fundjavën e kaluar, Alejandrina Guzman, vajza e bosit famëkeq të drogës, ka shpërndarë me qindra dhurata për fëmijët, të cilat kanë pasur të stampuar imazhin e El Chapo-s.

Aktualisht, Joaquin “El Chapo” Guzman ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa karteli i drogës është tashmë në duart e djemve të tij. /Gazeta Sinjali/