image Djali i Ukshin Hotit: Kidnapuesit e babit jo vetëm që janë të lirë por kanë edhe poste publike në Serbi

Sociale

Djali i Ukshin Hotit: Kidnapuesit e babit jo vetëm që janë të lirë por kanë edhe poste publike në Serbi

news image

Në shënimin e 23-vjetorit të zhdukjes së veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, shtëpinë muze të tij në Krushë të Madhe e kanë vizituar familjarë, bashkëveprimtarë, e politikanë. Duke kërkuar që të zbardhet fati i tij, të gjithë e vlerësuan lartë veprimtarinë kombëtare të Hotit.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u shpreh se ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe të gjithë të pagjeturve tjerë është detyrim ndaj familjarëve dhe shoqërisë.

“Ky aktivitet është simbolik dhe ka për qëllim edhe njëherë me ngrit zërin jo vetëm zërin  e arsyes por me forcë me ngrit zërin ku është Ukshin Hoti? Profili i njërit prej atdhetarëve të kulluar, një humanisti kryengritësi, prijësi të mendimit kritik udhërrëfyes drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar na bënë të ndihemi borxhlinj përherë karshi kësaj figure madhore në vendin tonë”.

“Së këndejmi, ndriçimi i fatit të profesorit Ukshin Hoti dhe i të pagjeturve të tjerë është detyrim ndaj familjes, ndaj shoqërisë, vendit tonë dhe në përgjithësi ndaj kombit shqiptar sepse ai përfaqëson vlerat më sublime që mund ta karakterizojë një intelektual vizionar i këtyre  përmasave”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se madhështia e veprës së Ukshin Hotit i bënë të tjerët të ndihen të vegjël.

Ai dha edhe disa porosi, ndërsa tha se për ta forcuar sigurinë dhe shtetin ligjor në Kosovë nuk do të jenë kurrë të ndarë pavarësisht partisë politike e përkatësisë.

Sipas tij, shqiptarët krahas  synimit për bashkim kombëtar, ata duhet të jenë të bashkuar edhe për një miqësi me Amerikën.

E djali i intelektualit, Ukshin Hoti, Andini u shpreh se ditët si këto janë të mërzitshme për të gjithë familjarët e të zhdukurve, madje u shpreh se për familjarët e të zhdukurve lufta nuk ka përfunduar ende.

Hoti si kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur u shpreh se Serbia po i lë të lirë dhe në poste politike kidnapuesit e babait të tij.

Ai po ashtu tha se Serbia nuk po heq dorë prej politizimit të çështjes së të pagjeturve.

“Jo vetëm ne si familjar të Ukshin Hotit por edhe të gjithë të tjerët që kanë pasur rastin e përafërt të vuajtjes familjar të personave të zhdukur konsideroj se ende nuk ka përfunduar lufta për ne. Jemi 23 vite pas dhe në një apo formë tjerë, ende ne vuajmë dhe mbajmë shpresën dhe zgjohemi dhe kur e shoh hallën dhe zonjën Nustrete e di se çfarë dhimbje mund të kenë çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje me shpresën se mos ajo Serbi kriminale që është sot po ndryshon mendje. Fatkeqësisht e njëjta Serbi, konsideroj unë, vazhdon të jetë edhe sot me mendje të tillë kriminale”.

“Të gjithë publikisht i dinë emrat e atyre që e kanë kidnapuar  babin nga burgu i Dubravës  dhe ata sot jo vetëm që janë të lirë në Serbi, por edhe poste publike dhe rastësisht prej që e kam marr detyrën e kryetarit të Komisionit por edhe delegacionit për Persona të Zhdukur kam hasur në raporte të cilat delegacioni i Serbisë i ka dorëzuar tek ne në bazë të kërkesave  të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të babit dhe përgjigjja e tyre është po aq kriminale, tregon se Serbia  në asnjë rast të vetëm nuk e depolitizon dhe në asnjë rast të vetëm nuk heq dorë prej politizimit të çështjes së personave  të zhdukur’”, theksoi ai.

Hoti shprehu angazhimin e tij në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

/GazetaSinjali/