image Ditë e zezë për punëtorët, bie nga lartësia rreth 12 metra - lëndohet rëndë punëtori në Gjakovë

Siguri

Ditë e zezë për punëtorët, bie nga lartësia rreth 12 metra – lëndohet rëndë punëtori në Gjakovë

news image

Një punëtor ka rënë nga lartësia nga objekti i Kuvendit Komunal në Gjakovë dhe si pasojë ka pësuar lëndime të rënda trupore, raporton një sinjalizues i Gazetës Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, teksa punëtori pas ndihmës së parë që ka marrë, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësi i policisë në Gjakovë, Nusret Gjurkaj.

“Objekti është në ndërtim e sipër, bëhet fjalë për objektin e Kuvendit Komunal në Gjakovë. Punëtori ka rënë nga kati i katërt, në vendin e ashensorit, lartësia është diku rreth 12 metra. Ai është dërguar me ndihmë të shpejtë, mirëpo pas kontrollit është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë. Është lënduar rëndë”, konfirmoi Gjurkaj për Gazetën Sinjali.

I pyetur nëse lidhur me rastin është intervistuar punëdhënësi i punëtorit të lënduar dhe nëse ai i ka pasur të gjitha pajisjet mbrojtëse në punë, Gjurkaj tha se “për momentin hetimet janë në zhvillim e sipër”.

Ndryshe, një ngjarje e rëndë si në Gjakovë ka ndodhur edhe në Prishtinë gjatë ditës së sotme.

Një punëtor ka rënë nga një ndërtesë në rrugën “Fehmi Agani” në kryeqytet, për të cilin mjekët thënë se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. /Gazeta Sinjali/