image Dita e katërt e bllokadës, serbët shtojnë numrin e kamionëve

Siguri

Dita e katërt e bllokadës, serbët shtojnë numrin e kamionëve

news image

Janë bërë tashmë katër ditë prej kur Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitetin me targa ndaj Serbisë. Dhe që nga ajo ditë serbët lokalë kanë bllokuar rrugët kryesore në Bërnjak dhe Jarinje, transmeton Gazeta Sinjali.

Pavarësisht shiut dhe temperaturave të ulëta protestuesit serb kanë qëndruar gjatë gjithë natës në dy pikëkalimet kufitare në Veri të Kosovës. Mirëpo, dhe kjo natë ka kaluar pa incidente.

Sipas Kosovo Online kolona është e gjatë 3 kilometra e gjysmë, kurse që nga mbrëmë është shtuar numri i kamionëve dhe mjeteve të tjera të rënda me të cilat është bllokuar rruga.

Në Jarinje dhe Bërnjak janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, por që deri tani nuk ka pasur asnjë incident përpos provokimeve të herëpashershme me thirrje e këngë nacionaliste nga serbët lokalë që po protestojnë.

Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.

Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje.

/Gazeta Sinjali/