Vetëm dy ditë pas marrjes së detyrave të reja, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, janë përballur me kërkesën e ndërkombëtarëve për heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe, shkruan Gazeta Sinjali.
I pari që e bëri një kërkesë të tillë ishte i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell. Ai teksa foli për ‘Associated Press’, tha se presin që tarifa të largohet menjëherë.
Emisari i Trumpit, tha të marten se është në interes të Kosovës që ta largojë tarifën prej 100 për qind, që Qeveria Haradinaj e kishte vënë për mallrat serbe dhe boshnjake në nëntor të vitit 2018.
“Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë udhëheqësve të partive në Kosovë që heqja e tarifave ishte në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj, si dhe synimeve për të tërhequr biznese të reja. Dhe udhëheqësit e partive janë pajtuar”, është shprehur Grenell.
Taksën ndaj mallrave serbe, Kurtit ia përmendi edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ajo pas takimit të sotëm me Kurtin, ka thënë se taksa është shkelje e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e marrëveshjeve ekonomike dhe se pret nga qeveria e re trajtimin e këtij vendimi dhe rifillimin sa më të shpejtë të dialogut.
“Bashkimi Evropian ka shprehur mendimin për taksën. Konsiderojmë se taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshje si CEFTA, pjesë e së cilës është Kosova. Tani po presim që Qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja por duam që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të rifillojë”, ka thënë Apostolova.
Kurse, Kryeministri Kurti i ka thënë Apostolovës se Kosova do të zëvendësojë taksën me reciprocitet në të gjitha fushat, jo vetëm në ekonomi.
“Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtare si zëvendësim për tarifën 100%. Pra ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, por do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje të integriteti e dinjiteti me parimin i cili më së shumti njihet me raportin e fqinjësisë, ky është reciprociteti. ”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kryeministrit, ky ka qenë premtim i fushatës që u përkrah nga 60% e qytetarëve dhe se duhet të përkrahet edhe nga opozita.
“Edhe LDK edhe VV edhe unë e edhe zonja Osmani më shumë se 60% të shqiptarëve kanë qenë me parimin e reciprociteti. E unë besoj që edhe ata që kanë janë sot në opozitë, ose ata që nuk na votuan, por unë do të jem kryeministër edhe i atyre, mund të mos pajtohen me mua për çështje të ndryshme, por për reciprocitet duhet të pajtohen”, ka deklaruar kryeministri.
Se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet, Apostolovës ia tha edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ajo, në konferencë pas takimit me shefen e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se taksa 100 përqind do të zëvendësohet me reciprocitet, ku do të hyjë në fuqi edhe pse është temë komplekse e cila kërkon studim më të thellë.
‘’Në programin tonë qeverisës është zëvendësimi i tarifës me reciprocitet, edhe pse është temë komplekse e cila kërkon studim edhe më të thellë. Nuk është temë që prekë vetëm punën e kryeministrit të qeverisë por nënkupton bashkëpunim të sinqertë’’, është shprehur Osmani.
Gjithashtu Osmani ka thënë se çështja e reciprocitetit prek edhe 33 marrëveshjet që janë arritur me Serbinë, ku tash mbetet të shihet se çfarë pika të tjera do të trajtohen në dialog.
Kushtin për taksën, kryeparlamentarja ia ka bërë të ditur edhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt. Ajo para mediave tha se taksa do të zëvendësohet me masat e reciprocitetit siç janë marrë vesh me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë kur Serbia të ndalojë kundërfushatën e saj për Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Siç e dini programi i përbashkët i koalicionit është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në kuvend më 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë se siç e kemi thënë se tarifa të zëvendësohet me masat e reciprocitetit. Relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohen në këtë parim, të cilin e aplikon çdo shtet demokratik. Për t’u larguar kjo tarifë, siç edhe e ka thënë ambasadori amerikan, Grenell, Serbia duhet ta ndërpresë fushatën e çnjohjeve, që po bën përmes metodave ilegale, që e ka minuar rëndësinë e dialogut. Ne s’kemi qenë pengesë për dialogun, pra do të punojmë me deputetë të opozitës që të kenë transparencë të plotë në këtë proces, atëherë mund të presimin që të kemi sukses në proces”, tha sot Osmani.
Pavarësisht marrëveshjes mes LDK-së e LVV-së për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet, Kurti e Osmani janë lutur nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që mos e bëjnë një gjë të tillë.
Haradinaj ka thënë se kjo do të ishte gabim, pasi sipas tij e vetmja gjë që do ta zëvendësonte tarifën është njohja reciproke mes dy shteteve.
“Kemi bërë zgjedhjet më të mira të mundshme në rajon, kemi Qeverinë e re dhe është lajm i mirë e cila ka shumë sfida, dhe sfida më e rëndësishme është të i ruaj parametrat që i ka lënë qeveria e kaluar. Nuk është ndërprerë dialogu për shkak të taksës 100 %. Është gabim ofertimi i Kurtit dhe Osmanit për të hequr taksën, Serbia nuk ka me ta kthye me të mirë. Ju kisha lut të mos e heqin taksën por të kërkojnë njohjen reciproke”, ka thënë Haradinaj.
Paralajmërimin për heqjen e taksës e kanë kundërshtuar fuqishëm deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës./Gazeta Sinjali/