image Diskriminimi ndaj studentëve të dalluar, vetëm këto pesë fakultete përfshihen nga MASHT-i në konkursin e bursave

Kosovë

Arsim/ Diskriminimi ndaj studentëve të dalluar, vetëm këto pesë fakultete përfshihen nga MASHT-i në konkursin e bursave

news image

Studentët e shumicës së fakulteteve të Universitetit të Prishtinës nuk do të kenë mundësi të jenë përfitues të bursave të cilat do t`i ndajë sivjet Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Pavarësisht notës së lartë të studimeve, shumica prej tyre nuk do të përkrahen nga shteti përkundrazi ata do të jenë të demotivuar për të arritur rezultate të larta në profesionet që i kanë zgjedhur, shkruan Gazeta Sinjali.

E tërë kjo, si pasojë e një vendimi që ka marr MASHT-i i cili parasheh që bursat të ndahen vetëm për studentët e dalluar të fakulteteve që nxjerrin kuadro deficitarë ose atyre që mungojnë në tregun e punës.

Bursa, ashtu sikurse edhe herave të kaluara, do të jetë në vlerë prej 880 eurosh.

 “Mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të MASHT-it.

Por, në komunikatën e sotme për medie, Ministria e Arsimit nuk ka sqaruar se cilat fakultete në Kosovë prodhojnë kuadro deficitare. Gazeta Sinjali ka kërkuar sqarim rreth kësaj çështje nga ministria.  

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Besa Bytyqi ka thënë për Gazetën Sinjali se në Kosovë  janë gjithsej pesë fakultete deficitare, studentët e dalluar të të cilave mund të përfitojnë bursa.

Bytyqi  ka thënë se këto fakultete janë: Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakulteti i Shkencave Matematika Natyrore, Fakulteti i Mjekësisë ku përfshihet edhe dega e farmacisë dhe stomatologjisë, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Fakulteti Teknik.

Madje për Fakultetin Teknik, MASHT-i ka ulur edhe kriterin e notës mesatre duke i favorizuar studentëte kësaj njësie akademike.

“Këtë vit, MASHT ka ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik, sepse përveç që ky fakultet përgatite kuadro që në tregun e punës ka mungese të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në këto drejtime”, thuhet në njoftim.

Këtë vendim e kanë kundërshtuar studentët e njësive të tjera akademike të cilët nuk janë përfshirë në konkursin e bursave duke e konsideruar vendimin e MASHT-it diskriminues.

Këshilli i studentëve të Fakultetit të Arteve ka protestuar sot në Prishtinë ndërsa Këshilli studentor i Fakultetit të Edukimit ka paralajmëruar për nesër protestë për ta kundërshtuar këtë vendim.

Universiteti i Prishtinës ka gjithsej 16 fakultete. Në bazë të vendimit të MASHT-it, për del se përfitues të bursave mund të jenë vetëm studentët e pesë fakulteteve ose të më pak se një të tretës së njësive akademike në UP./Gazeta Sinjali/

Në vijim lista e plotë e fakulteteve të UP-së

Fakulteti Filozofik

Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore

Fakulteti i Filologjisë

Fakulteti Juridik

Fakulteti Ekonomik

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike

Fakulteti i Mjekësisë

Fakulteti i Arteve

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë

Fakulteti i Gjeoshkencave dhe Teknologjisë

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit

Fakulteti i Edukimit

Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Mitrovicë

Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj