Disa infermierë kanë refuzuar që të punojnë në klinika ku po trajtohen pacientë të infektuar me COVID-19.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, ka thënë se është e pabesueshme sesi mund të ketë infermierë që nuk duan ta japin kontributin e tyre në luftën kundër koronavirusit derisa thotë se do të krijohet një komision i pavarur për të hetuar më detajisht pse ndodhi kjo dhe cilat ishin arsyet reale.
“MSH ka marrë vendim dhe i ka dhënë autoritet të plotë që SHSKUK-së për të gjitha lëvizjet brenda QKUK-së se ku ka nevojë që të lëvizin këtë komunitet sipas nevojave ku kërkohet. Ne si sindikatë kemi reaguar pasi disa infermierë na janë drejtuar neve me ankesën se i është shkelur e drejta”, ka thënë ai.
Havolli tha se një nga arsyet pse disa infermierë që janë munduar t’i ikin përgjegjësisë është frika e infektimit, derisa ka shtuar se nuk kanë arsye të tjera shëndetësore.
“S’po mund ta besoj që ka infermierë në QKUK që i ikin asaj përgjegjësie që thërrasin autoritete dhe të bëjnë gjëra të tilla dhe të mundohen t’u shmangen pa pasë ndonjë arsye nëse është me sëmundje kronike apo rreziqe të tjera për jetën e tyre. Drejtori Sami Tahiraj do të krijojë një Komision të Pavarur që do të vlerësojë arsyet e vërteta të kësaj ngjarje”, deklaroi Havolli. /Gazeta Sinjali