“Kosova është shtet i pavarur dhe ashtu edhe do të mbetet”, ka deklaruar Presidenti i Fondacionit të NATO’s dhe ish-Zëvendës Sekretari Gjeneral i NATO’ njëherit edhe diplomati italian, Alessandro Minuto-Rizzo.
Megjithatë Minuto-Rizzo, pyetur nga “European Western Balkans” për tensionet e fundit në pjesën veriore të vendit, thotë se “fryma e kompromisit duhet të mbizotërojë”.
Kjo frymë kompromisi, sipas tij, është “të njihet realiteti politik dhe t’u jepet minoritetit serb e drejta për të mbajtur identitetin e tyre kulturor”.
“Kosova është shtet i pavarur dhe do të mbetet kështu. Sigurisht, ne i kuptojmë ndjenjat që vinë nga historia e shkuar që edhe shpjegojnë këto gjendje të përsëritshme të tensioneve. Ne respektojmë ndjenjat e të gjithëve. Sidoqoftë, fryma e kompromisit duhet të mbizotërojë”, ka thënë ai.
Më tej, ambasadori italian u shpreh se forca paqeruajtëse e NATO’s do të jetë në Kosovë për të ruajtur dhe siguruar paqen.
“KFOR punon në mirëbesim dhe me disciplinë për të shoqëruar konsolidimin e praktikave të mira. Italia ka treguar interesim të veçantë ndaj Kosovës dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar që këto përpjekje të vazhdojnë edhe në të ardhmen”.
Minuto-Rizzo rikujton lidhjet e NATO’s me rajonin teksa përmend intervenimet në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
“Pa angazhimin e Aleancës, marrëveshja e Dejtonit nuk do të ishte e mundur. Në fakt, ka qenë vendimtare për t’i dhënë fund luftës civile në Jugosllavi. Operacioni i KFOR-it në Kosovë është ende duke u zhvilluar. Është e lehtë të thuhet se ky angazhim historik i Aleancës do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë mes tjerash ai.