Jo rrallëherë xhamitë nëpër qytete të ndryshme në Kosovë janë cak i hajnave. Shpeshherë ua mësyjnë arkave të ndihmave, por ka raste kur kryhen edhe vjedhje të tjera. E një rast i tillë ka ndodhur dje në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se në xhaminë ‘Sinan Katib’ një person ka vjedhur kasafortën në të cilën ndodheshin rreth 300 euro, para këto që përdoren për të kryer obligimet nga KEDS-i për energjinë elektrike.
Përgjegjësi i xhamisë ka denoncuar rastin në Polici, të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të identifikuar kryesit e kësaj vepre.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent, me vendim të të cilit vepra është cilësuar si ‘Vjedhje e rëndë’.