Gazeta Sinjali sot publikoi pamje se si kompania e transportit “Barileva Turist” ka angazhuar 15 autobusë për të bërë transportin e serbëve të Kosovës. Pronari i kësaj kompanie, Naser Januzi, që dikur ishte përkrahës i kryeministrit Albin Kurti, sot ka vënë në shërbim së paku 15 autobusë të kompanisë së tij për transportin e votuesve serbë për referendumin në Serbi.
Januzi që drejton këtë kompani, kohë më parë publikisht përkrahte liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili dje prezantoi rezolutën kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.
Në një foto që kishte publikuar Januzi në Facebook, bashkëngjitur me një foto me Kurtin, në zyrat e kësaj partie, kishte shkruar: “Urime “KRYEMINISTËR” i Kosovës, Albin Kurti!”
Legjislacioni në fuqi nuk lejon që operatorët që nuk kanë linjë të rregullt të bëjnë transportimin e udhëtarëve jashtë shtetit, andaj një veprim i tillë mund të ketë pasoja për operatorët që zgjedhin të bëjnë transportin e udhëtarëve pa leje paraprake nga Ministria e Infrastrukturës.
Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës dje kanë miratuar rezolutën që shpreh kundërshtimin që sot në Kosovë të votohej për referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.