Dieta nuk është e përkufizuar, mirëpo duhet pasur kujdes në madhësinë e porcionit dhe të kalorive.
Vitin e kaluar “keto-dieta” ka qenë hit i vërtetë, mirëpo më e mira e 2019-s është dieta mesdhetare.
Kjo dietë është një mënyrë jetese që ka në fokus aktivitetin social, angazhimin fizik në sigurimin e ushqimit, përpunimin artizanal dhe jo industrial të tij, ekspozimin në diell dhe mbi të gjitha “gjithçka me masë”.
Dieta mediterane ka përparësi të shumta për shëndetin, transmeton Sinjali.
Dieta Mesdhetare është ndër dietat më të dobishme në uljen e shëndetshme të mbipeshës dhe në ruajtjen e një peshe trupore optimale dhe parandalimin e diabetit. Përbërja e veçantë në acide lyrore, parandalon shtimin e dhjamit sidomos në zonën qendrore (rreth barkut). Ndërsa, përmbajtja e lartë në fibra bimore përbën një ndër armët më të mira në kontrollin e sheqerit në gjak.
Dieta mesdhetare përmban:
Çdo ditë fruta dhe perime të stinës, sa më pak të përpunuara;
Çdo ditë drithëra integrale të ndryshme (grurë, misër, oriz, bullgur, hikerror, tërshërë, elb); fasule të llojeve të ndryshme (thjerrëza, qiqra, fasule me ngjyra);
2-3 herë në javë peshk dhe prodhime deti; fruta të thatë dhe fara (arra, bajame, susam, fara kungulli, lini, luledielli); erëza si: rigoni, rozmarina, sherebela, menta, trumza etj.;
Disa herë në javë, sasi të kufizuara mishi shpendësh, bulmet të yndyrshëm, vezë;
Pak herë në muaj: mish të kuq dhe ëmbëlsira;
Në gatim përdoret vetëm vaji i ullirit i përpunuar në të ftohtë dhe shumë pak gjalpi i bagëtisë;
Tipare të rëndësishme të dietës mesdhetare janë edhe konsumi i moderuar i verës së kuqe, konsumi i çarave bimorë si çaji i malit dhe hidratimi i mjaftueshëm me ujë natyral./Gazeta Sinjali/