Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shpjeguar në përfundim të takimeve bilaterale në Bruksel arsyet që pengojnë mos zhvillimin e një takimi trepalësh midis delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së.
Për palën serbe takimi trepalësh nuk është i mundur për shkak se delegacioni i Kosovës nuk pranon të diskutojë për temën e Asociacionit të Komunave me Shumicës Serbe, ndërkohë që kjo është kryetemë për delegacionin e Serbisë.
“Ne kemi deklaruar edhe më herët se nuk jemi të gatshëm në këtë fazë të trajtojmë çështjet e të drejtave të minoriteteve. Këto duhet të jenë pjesë e pakos së përgjithshme të arritjes së marrëveshjes për normalizim të plotë dhe ligjërisht të detyrueshme midis dy vendeve.”
“Ajo që është e rëndësishme është që ka pasur dakordim me palën dhe serbe dhe evropiane, që gjatë takimeve trepalëshe të dialogut nuk do shtrohen çështje, që nuk kanë dakordim të të dyja palëve. Nëse njëra palë nuk është dakord me një temë, ajo nuk diskutohet në takimin trepalësh dhe nga ana tjetër, nuk duhet të kushtëzohen bisedimet e dialogut me një temë të caktuar”, ka deklaruar Bislimi për ABC News.
Duke marrë një shembull konkret, Bislimi është shprehur se delegacioni i Kosovës nuk mund të kushtëzojë bisedimet nëse nuk trajtohet çështja e financimit të Luginës së Preshevës, derisa shton se për temat e takimit trelateral duhet të ketë pajtim reciprok.
“Nuk ka pasur dakordim të dyanshëm mbi temën e asociacionit dhe rrjedhimisht pala serbe nuk ka pasur të drejtë të vendosë asnjë kushtëzim. Por kjo tregon, se cila është pala bllokuese në këtë mes.”
Sipas Bislimit, janë nënshkruar 30 marrëveshje dhe nuk kanë një renditje të tyre për të konsideruar, se një marrëveshje është e një rëndësie të parë apo të dytë dhe rrjedhimisht Serbia nuk mund të insistojë vetëm në një marrëveshje si ajo e asociacionit.
“Aktualisht, Serbia nuk zbaton 25 marrëveshje dhe ka zero kredibilitet për të nxjerrë në tavolinë një temë që atyre u intereson. Për ne është më i rëndësishëm financimi i Luginës së Preshevës sesa Asociacioni i Komunave Serbe. Nëse fillojmë me kushtëzime të tilla, atëherë kjo nuk na shpie askund.”
Ai u pyet nëse BE pret një qasje nga Qeveria e Kosovës se si do të zbatohet marrëveshja e arritur midis Serbisë dhe Kosovës mbi asociacionin.
“Ne nuk na është thënë që presim një qasje nga Qeveria e Kosovës, se si do zbatohet marrëveshja për asociacionin. Ata vetëm thonë, se kjo është një temë, për të cilën ka pasur një marrëveshje. Për BE çon pak peshë nëse marrëveshja për asociacionin është e mirë apo e keqe, nëse ajo ka qenë e nënshkruar nga politikanë të qëndrueshëm apo të shantazhueshëm. Por, thonë që ky është obligim shtetëror dhe duhet të shihni zgjidhjen për këtë obligim shtetëror.”
Lidhur me një takim të mundshëm të liderëve të Serbisë dhe Kosovës para fundit të vitit, Bislimi shprehet se hapi i parë për një sukses të dialogut Prishtinë-Beograd është përcaktimi i elementeve të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Sipas tij këto elemente duhet të përcaktohen në një takim në nivelin e kryetarëve të shteteve. Në këtë prizëm shihet edhe iniciativa e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, për të organizuar një takim në nivel të liderëve të dialogut Prishtinë-Beograd./GazetaSinjali/