image A u diskutua për Asociacionin, Zyra e Kryeministrit njofton për takimin e Bislimit në Bruksel

Politikë

A u diskutua për Asociacionin, Zyra e Kryeministrit njofton për takimin e Bislimit në Bruksel

news image

Sot në Bruksel janë mbajtur takime të ndara bilaterale në nivel kryenegociatorësh me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Sinjali.

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në takimin me Lajçak diskutoi rreth gjendjes së zbatimit të dakordimeve të arritura në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se në këtë takim u bisedua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, rreth zhvillimeve të fundit, mbajtjes së takimeve të shpeshta të nëngrupeve punuese si dhe gërmimet dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Në njoftimin e ZKM-së thuhet se delegacioni i Kosovës ngriti shqetësim të madh për rastin e fundit, kur Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.

“Ndalesa e bërë ekipit përfaqësues të boksit duke mos ua lejuar hyrjen në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që mbahej në Beograd, nga delegacioni kosovar u theksua si veprim i palës serbe që është plotësisht në kundërshtim me frymën e lëvizjes së lirë, që promovohet përmes marrëveshjes së Brukselit në raport bilateral me Serbinë.

Gjithashtu, shqetësim tjetër i ngritur janë pengesat e shkaktuara nga autoritet serbe në transferin e mjeteve për Luginë e Preshevës. Nga pala kosovare u kërkua facilitim shtesë nga BE-ja, veçanërisht duke pasur parasysh domosdoshmërinë e një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë,  mëqenëse nga Ministria e Financave dhe Transfereve të Republikës së Kosovës janë planifikuar dy milionë euro për Luginën e Preshevës në buxhetin e vitit të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e ZKM-së. /GazetaSinjali/