image Dhunë në një familje në Ferizaj: Burri tenton ta ngufat bashkëshorten, u kapën për kujdesin ndaj foshnjës së tyre

Siguri

Dhunë në një familje në Ferizaj: Burri tenton ta ngufat bashkëshorten, u kapën për kujdesin ndaj foshnjës së tyre

news image

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë është bërë mjaft shqetësuese. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në fshatin Talinovc i Muhaxherëve në Ferizaj, ku një burrë dyshohet se ka rrahur bashkëshorten e tij.

Sinjali mëson se gruaja e ka denoncuar dje rastin në Polici, ku ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike, duke e kapur për fyti, që ta ngufatë. Motivi i rastit dyshohet të jetë një zënkë që nisi në lidhje me kujdesin ndaj vajzës së tyre që nuk ka mbushur ende 1 vjet.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, ajo ka marrë lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Njësitet janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur të arrestojnë personin e dyshuar, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Dhunë në familje”.

/GazetaSinjali/