Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në rrugën Ferizaj, ku një burrë po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson 47-vjeçari i dyshuar e ka sulmuar fizikisht gruan, duke e goditur me grushte dhe karrige, ku për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë në spital.
Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, burri i saj që një kohë po ushtron dhunë ndaj saj, por deri më tash nuk e ka denoncuar në Polici.
Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.