image Dhunë në familje në Vrellë të Istogut: “Më kapi për flokësh dhe nuk më la të shkoj në punë”, gruaja denoncon bashkëshortin

Siguri

Dhunë në familje në Vrellë të Istogut: “Më kapi për flokësh dhe nuk më la të shkoj në punë”, gruaja denoncon bashkëshortin

news image

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Kosovë, kësaj radhe në fshatin Vrellë të Istogut, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj saj, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima me inicialet A.B. është paraqitur në Policinë e Istogut, ku ka deklaruar se mbrëmjen e 10 korrikut, rreth orës 23:00, pasi ishte kthyer nga puna dhe po qëndronte në oborrin e shtëpisë, bashkëshorti i saj M. B, 55 vjeçar i është afruar dhe, pa ndonjë konflikt paraprak, e ka kapur për flokësh.

Sipas deklarimit të saj, pas këtij veprimi, i dyshuari ka vazhduar të demolojë sende brenda shtëpisë, duke ushtruar presion dhe dhunë psikologjike ndaj saj.

Viktima ka pohuar se dhuna nuk kishte përfunduar atë natë. Sipas saj, të nesërmen, më 11 korrik, bashkëshorti nuk e kishte lejuar të shkonte në vendin e punës, duke vazhduar ta mbante nën presion psikologjik, ndonëse atë ditë nuk kishte pasur kontakt fizik.

Nga ana tjetër, burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes apo fëmijëve të tyre. Ai ka deklaruar se nuk ka demoluar asnjë send në shtëpi, duke pretenduar se dritaret ishin përplasur nga era pasi kishin mbetur të hapura.

Viktima është intervistuar në praninë e një punëtoreje të Qendrës për Punë Sociale dhe ka deklaruar se, me vullnetin e saj, dëshiron të kthehet në shtëpinë bashkëshortore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa M.B është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/