image Dhunë në familje në Prizren: Burri i dehur rrotë e gjuan gruan me gotë dhe gjygym çaji

Siguri

Dhunë në familje në Prizren: Burri i dehur rrotë e gjuan gruan me gotë dhe gjygym çaji

news image

Përdorimi i tepërt i alkoolit është një ndër shkaktarët kryesorë për konfliktet familjare. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike nga personat me të cilët kanë vendosur që të ndajnë jetën, duke u detyruar që shpesh herë të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën ‘Beran Gashi’ në Prizren, ku një burrë dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar 40-vjeçarja e cila para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen. Bazuar në dëshminë e saj, i shoqi tash e një kohë ushtron dhunë psikike e fizike ndaj saj dhe dje kishte tentuar ta sulmojë fizikisht.

41-vjeçari dyshohet se ka gjuajtur me gotë dhe gjygym çaji në drejtim të viktimës, mirëpo e njëjta ka arritur që t’i shmanget dhe të shpëtojë.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe i është nënshtruar edhe testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/