Dhjetëra raste të dhunës në familje raportohen pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës, por jo gjithmonë merren masat preventive ndaj burrave të dyshuar, që çojnë dorë mbi bashkëshortet dhe në familjarët e tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Dhuna në familjet kosovare shpesh nuk denoncohet në momentin kur ndodhë dhe kjo dëshmohet me raportimin e vonshëm të rasteve të tilla. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë, në Ferizaj, ku një grua vendosi ta njoftojë Policinë për dhunën që ia ka shkaktuar bashkëshorti.
Bazuar në dëshminë e dhënë në stacion policor, gruaja ka deklaruar se para një jave, pas një mosmarrëveshje që kishte me bashkëshortin, i njëjti e kishte tërhequr zvarrë për flokëve. Kjo kishte bërë që gruaja të largohet nga shtëpia dhe të shkojë të familja e saj.
Një javë pasi ndodhi rasti, ajo ia mësyu Policisë, me ç’rast njësitet policore janë vënë në lëvizje dhe kanë arrestuar personin e dyshuar i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.