Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të shumta të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë, mes një çifti edhe sot në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se rasti është raportuar në Polici nga një 29-vjeçare, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj A.A., 35-vjeçar në Polici, për presionin dhe dhunën që po ia shkakton.
Burri nga Prizreni po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht gruan e tij me grushte dhe kabllo të rrymës, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka viktima ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur që zgjidhja më e mirë është që të kërkohet ndihmë nga Policia, duke e raportuar të dyshuarin për dhunë në familje.
Policia është vënë në veprim për ta arrestuar të dyshuarin, por përkundër kërkimeve në disa lokacione, i njëjti akoma nuk është hasur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për veprën penale “dhunë në familje”, teksa veprimet tjera do të ndërmeren posa të kapet i dyshuari.