Dhuna që u promovua në një reality show i quajtur “It’s my home” që ka nisur tash e disa ditë në Televizionin “First Channel”, transmetim ky që u ndalua, siç duket po vazhdon edhe ndaj zyrtarëve policorë. Një incident i tillë ndodhi mbrëmë pas mesnate. Sinjali mëson se një zyrtar policor u sulmua nga një konkurrente e këtij programi, e cila u përjashtua mbrëmë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për 28-vjeçaren, Teuta Llumnica, e cila tashmë është arrestuar dhe ndodhet nën ndalim policor.
Por si ndodhi rasti dhe kur u sulmua zyrtari policor nga e dyshuara Llumnica?
Skenat e dhunës që janë parë ditët e fundit në “It’s my homë” kanë vazhduar edhe mbrëmë, raporton Gazeta Sinjali. Këtë herë, e dyshuar për sulmin është pikërisht Llumnica, e cila para pak ditësh ishte viktimë e dhunës fizike. Ajo po dyshohet se ka shkaktuar telashe, duke i sulmuar banorët e shtëpisë. Këtë herë, si pasojë e presionit publik të ditëve të fundit, sulmi pasoi me përjashtim të banores, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se produksioni e largoi Llumnicën nga shtëpia, por paraprakisht hasën në rezistencë.
Kjo ka bërë që Policia të zbarkojë sërish në selinë e këtij televizioni dhe ta shoqërojë të dyshuarën deri te banesa e saj. Por nuk mbaroi me kaq. Sjelljet e saj dhe agresiviteti që dyshohet se ka shfaqur gjatë rrugës e detyruan Policinë që ta prangosin, por e pësuan këta të fundit. Dhuna kulmoi kur një zyrtar policor u godit nga e dyshuara Lluminca, e cila menjëherë u arrestua dhe u dërgua në stacion policor.
Burimet thonë se polici që u sulmua ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor në spital.
Në anën tjetër, pasi janë kryer procedurat policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.