Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për dy persona që dyshohet se u kapën me 40 mijë dollarë fals në Prizren, ku njëri prej tyre ishte Mehmet Shishko, dhëndri i Prokurorit të Krimeve të Rënda, Metush Birajt, konduktor në kompaninë e autobusave “Alpar”.
Sinjali ka mësuar detaje të reja nga operacioni i Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion që po zhvillohet në dy lokacione në Prizren dhe në një qytet tjetër, që për shkak të hetimit, Gazeta Sinjali nuk mund ta zbulojë.
Tre të dyshuar u kapën, një në arrati
Nga ky aksion përveç Mehmet Shishkos, u kapën edhe B.M, dhe F.K., ndërsa persona i katërt i dyshuar, gjendet në arrati. (emra të njohur për redaksinë).
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se gjatë këtij aksioni Policia të dyshuarve, u gjeti edhe 32 mijë dollarë në banknota nga 100 dollarë dhe 8 mijë dollarë në banknota nga 50 dollarë. Po ashtu, u sekuestruan edhe 3 banknota nga 500 euro.
Përveç parave, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe dy automjete.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.