Një ngjarje tepër e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në fshatin Bequk të komunës së Vushtrrisë, ku një 12-vjeçar është gjetur pa shenja jete. Ai dyshohet se ka kryer vetëvrasje, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se rasti në Polici është raportuar nga vëllai i të ndjerit, i cili ka bërë të ditur se 12-vjeçarin e ka gjetur të vdekur në njërën nga dhomat e shtëpisë.
Dyshimet e para janë se i mituri ka kryer vetëvrasje me një armë gjuetie, pasi që në momentin që u gjet pa shenja jete, ai kishte një plagë në kokë e cila u shkaktua nga arma e zjarrit.
Me t’u denoncuar rasti, njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit, mirëpo ende nuk dihet nëse vetëvrasja është kryer me dashje apo në mënyrë aksidentale.
Po ashtu, Gazeta Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi mjekësor, me ç’rast është konstatuar vdekja e të miturit nga mjeku kujdestar.
Sinjali ka provuar që të marrë informacione lidhur me ngjarjen tragjike nga Policia e Kosovës, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar lidhur me detajet e reja lidhur me rastin.