image Detaje ekskluzive nga operacioni ‘Shkoza’/ Nga marsi, 700 migrantë u kontrabanduan dhe u strehuan në shtëpitë e 18 të dyshuarve

Ekskluzive

Detaje ekskluzive nga operacioni ‘Shkoza’/ Nga marsi, 700 migrantë u kontrabanduan dhe u strehuan në shtëpitë e 18 të dyshuarve

news image

Epilogu i hetimeve që kishin filluar që në muajin mars të këtij viti, sot rezultoi me arrestimin e 18 personave të dyshuar për kontrabandim me migrantë dhe sekuestrimin e një sërë provash materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht detajet lidhur me operacionin e koduar ‘Shkoza’ i cili u zhvillua gjatë ditës së sotme në rajonin e Prizrenit, ku janë kryer bastisje në tri lokacione në fshatin Shkozë.

Që nga muaji mars e deri më sot, dyshohet se 700 shtetas të huaj kryesisht aziatikë, janë kontrabanduar nga kosovarët, të cilët ndihmonin ata që përmes rrugëve ilegale të kalojnë në shtetet perëndimore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se migrantët që nga Shqipëria në Kosovë hynin përmes rrugëve malore, fillimisht strehoheshin në shtëpitë e personave të dyshuar që u arrestuan sot, e më pas nga Prizreni transportoheshin fshehtas në kalimin kufitar në Jarinjë, prej ku kalonin në territorin e Serbisë.

Pak ditë më parë ishte arrestuar një shtetas sirian, i cili gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka organizuar kontrabandimin e migrantëve në bashkëpunim me të dyshuarit kosovar, me qëllim të përfitimit të jashtëligjshëm pasuror.

Por pjesëtarët e Policisë së Kosovës që po merrnin pjesë në operacionin e sotëm, gjatë aksionit janë përballur me një kërcënim serioz, ku në shtëpinë e të dyshuarit Besmir Arifaj, babai i tij, Skender Arifaj, iu është vërsulur policëve me veturën e tij, duke tentuar që t’i sulmojë ata.

Reagimi i zyrtarëve policorë ishte i menjëhershëm, të cilët arritën që ta lokalizojnë Arifajn dhe ta arrestojnë.

Sinjali mëson nga burimet e veta se gjatë operacionit ‘Shkoza’ janë sekuestruar tre autobusë, tri vetura, rreth 17 telefona, radiolidhje, katër armë zjarri dhe rreth 100 copë municion.

Sinjali po ashtu ka siguruar listën me emrat e 18 të arrestuarve, ku në mesin e tyre është edhe një shtetas arab.

Me urdhër të prokurorit, 17 prej të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa njëri nga ta, Qëndrim Sinanaj, është liruar në procedurë të rregullt dhe do të hetohet për veprën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/