Me arsyetimin se baza aktuale ligjore nuk mundëson zgjidhjen e një drejtori të ligjshëm, sot Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka vendosur që të mos e zgjedh drejtorin e përgjithshëm të RTK-së.
Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i bordit, Besnik Boletini, ku sipas tij nuk duhet të përsëriten shkeljet që janë bërë në të kaluarën kur është zgjedhur drejtori.
Sipas drejtorit, baza ligjore e RTK-së është e varfër dhe udhëzimi administrativ nuk është në përputhje me Ligjin për RTK-në.
Boletini pret se do të hartohet një rregullore e re për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së.
Ndërkohë, në mbledhjen e mbajtur sot, anëtarët e Bordit kanë votuar kundër secilit kandidat për pozitën e Drejtorit te RTK-së.
“Një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore qe do te garantonte përfundimin e procesit. Rrjedhimisht, për të evituar shkeljet ligjore, Bordi i RTK-së e ka përmbyllur procesin e konkursit duke mos e votuar asnjë kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidateve për zhvillimin e RTK-se”, njofton Bordi i Radio Televizionit të Kosovës.
Bordi i RTK-se sqaron opinionin publik se historikisht gjatë procedurave për konkurse publike, RTK i është referuar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. I njëjti Udhëzim Administrativ është përdorur edhe në konkurset për drejtorët paraprakë të RTK-së. Në të njëjtën kohë, zyra ligjore e RTK-së i ka rekomanduar bordit se i njëjti proces mund të ndiqet edhe tani, pasi RTK-ja nuk ka dokument tjetër ligjor që mund ta përdorë për procedurën e konkursit për drejtor të përgjithshëm.