image Dështon rigjykimi ndaj ish-inspektorit të Prizrenit të dyshuar për keqpërdorim të detyrës

Drejtësi

Dështon rigjykimi ndaj ish-inspektorit të Prizrenit të dyshuar për keqpërdorim të detyrës

news image

Ka dështuar rigjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, i akuzuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky gjykim dështoi për shkak të mungesës së përfaqësuesit të autorizuar të Komunës së Prizrenit, Blerim Mazreku, i cili nuk ishte ftuar me rregull nga Gjykata Themelore në Prizren.

Andaj, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Ajser Skenderi, vendosi që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet për datën 23 shtator 2020, në ora 10:00.

Bashkim Krasniqi akuzohet se derisa ishte në pozitën e inspektorit të ndërtimit në vitin 2014, nuk e ka bërë rrënimin e objektit “Crazy Love”, anipse nuk kishte pasur leje ndërtimi.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, Krasniqi pritej të deklarohej nëse ndihet fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kujtojmë që në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prizren e kishte liruar Krasniqin nga të gjitha akuzat, me vlerësimin se nuk është vërtetuar se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Mirëpo, ky vendim i gjykatës së shkallës së parë, u kthyen në pikën zero nga Gjykata e Apelit./Gazeta Sinjali/