Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nuk ka arritur që të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit. Ai ka deklaruar se përfaqësuesit e subjekteve politike nuk kanë qenë të pranishëm dhe për këtë arsye është dashur që të shtyhet, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai ka kërkuar nga grupet parlamentare të jenë më të përgjegjshme.
“Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ndodhet në Bruksel për arsye objektive. Kurse njëri nga nënkryetarët e Listës Serbe ka deklaruar se për arsye personale nuk mund të merr pjesë në seancë. Kurse nuk kemi informacione për nënkryetarin e grupit multietnik. Të shpresojmë se herave tjera do të jenë më të përgjegjshëm”, ka thënë Konjufca.
Kurse Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar pushtetin se nuk është e gatshme që të udhëheq përpara me proceset.
“Kjo është mbledhja e dytë e kryesisë që dështon radhazi për shkak të korumit dhe kjo tregon që republika po udhëhiqet nga mazhoranca e papërgjegjshme. Opozita ishte prezente pra nënkryetarët nga PDK-ja dhe LDK-ja ishin prezent. Mirëpo nuk ishin përfaqësuesit e pushtetit nënkryetarja nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e tyre nga komuniteti jo shumicë. Ka mosgatishmëri dhe mos vullnet për padituri të madhe në udhëheqjen e institucionit”, ka thënë ai. /GazetaSinjali/