image Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për terrorizëm dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës

Drejtësi

Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për terrorizëm dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës

news image

Sot, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dështoi gjykimi ndaj Srba Antiq, të akuzuarit për përgatitjen e veprave terroriste ose vepraveterroriste ose veprave kundër sigurisë së Republikës së Kosovës, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance ishte mungesa e gjykatësit Valon Kurtaj.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatës Musa Konxheli, tha se gjykatësi Kurtaj ka mungur për shkak se ka pasur një urgjencë familjare.

Andaj, gjykatësi Konxheli ka bërë të ditur se ka njoftuar palët, prokurorin e rastit, mbrojtësin dhe se ka revokuar edhe urdhëresën për shoqërimin e të akuzuarit Antiq nga qendra e paraburgimit.

Kështu, seanca e radhës për këtë gjykim është caktuar të mbahet më 15 korrik, duke filluar nga ora 13:15.

Kundër Antiq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 1 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par.3 të KPRK-së, “mashtrimi” nga neni 335 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së dhe veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Srba Antiq, më 12 korrik të vitit 2018, nga Posta e Serbisë nr.1 në pjesën veriore të Mitrovicës ia kishte dërguar një pako të dëmtuarit, Radomir Repanoviq, në fshatin Osojan të Istogut. Në këtë pako, prokuroria thotë se gjendej një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” 7.65 mm, me një karikator me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit “tramdalol”, pesë pako me ampula të llojit “trodon”, 18 pako me tableta “bensedin” dhe një pamflet të formatit “A4”, me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobofilaqke Vojske Kosova i Metohije”.

Prokuroria pretendon se përmes kësaj pamflete bëhej thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serbë si: Momir Radenkoviq, Begolub Portiq, Sasha Portiq, Millosh Nedelkoviq, Millan Pavlloviq, Dragana Pantiq etj, që të bartin armë nga depo të ndryshme në Mitrovicë, me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdorej dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë, në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t’i fajësojnë shqiptarët.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Srba Antiq akuzohet se nga viti 2017 në vazhdimësi, ka mashtruar shumë qytetarë, në atë mënyrë që përmes paraqitjes së fakteve të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka shfrytëzuar situatën e disa qytetarëve serbë, duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet.

Antiq akuzohet që paraprakisht u ka marrë shuma të ndryshme parash, si të dëmtuarit Radomir Repanoviq shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit Srgjan Radenkoviq shumën prej 2000 euro, Momir Radenkoviq 5000 euro dhe shumë të tjerëve u kishte kërkuar para për punësimin e tyre, por për shkak të shumave të larta nuk kanë pasur mundësi t’ia japin.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë, më 12 korrik 2018, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në mënyrë të paautorizuar, në atë mënyrë që pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, 7.65 mm, me një karikator e ka dërguar përmes postës së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, e ka futur në një pako dhe e ka dërguar në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, ashtu që i njëjti armën e ka lajmëruar në polici, e cila edhe është konfiskuar./Gazeta Sinjali/