image Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

Drejtësi

Dëshmitari thotë se Salih Mustafa u kishte dhënë mbështetje morale civilëve gjatë luftës

news image

Dëshmitari i dytë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës, Ahmet Ademi, ka thënë se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Salih Mustafa e Fatmir Humolli e kishin vizituar atë në shtëpinë e tij dhe ishin takuar me njerëzit e tjerë që po strehoheshin në lagjen ku banonte Ademi në Prishtinë.

Para trupit gjykues në Hagë, Ademi ka rrëfyer edhe rastin kur policia serbe kishte rrahur e maltretuar familjen e tij.

Incidenti ka ndodhur në familjen time pasi NATO ka filluar bombardimet, tani kanë ardhur policia kanë hyrë nëpër lagje dhe incidenti ka ndodhur te familja ime pas bombardimeve të NATO-s… Djalit tim në atë kohë nuk i kanë bërë asgjë por e ka parë duke i rrahur nënën dhe prej asaj kohe djali është me trauma, e kam pasur nëpër mjek por i ka mbetur ajo frika, trauma në kokë. Bashkëshorten e kanë rrahur”, ka thënë ai.

Sipas tij, serbët kishin hyrë në të gjithë lagjen dhe kishin maltretuar e rrahur banorët që i kishin gjetur aty.

Pas kësaj, Ademi ka deklaruar se janë vizituar nga tre pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të cilët Salih Mustafa e Fatmir Humolli.

Sipas tij, ata u kishin dhënë mbështetje morale civilëve.

Ndërkohë pas incidentit, ka pasur edhe popullatë prej tjera anë në lagjen tonë, kanë ardhur pjesëtarët e ushtrisë sonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tre persona, kanë qëndruar gjatë ditës, na kanë dhënë mbështetje morale, mos me u frikësu, (na kanë thënë) nuk kanë punë me ju por me ne, na kanë dhënë mbështetje… Fatmir Humolli, Salih Mustafa dhe një tjetër ka qenë por e kam harruar emrin, e këta dy po. Kanë qenë në lagjen tonë, kanë biseduar personalisht me mua, se e kanë ditë që unë punoj në Kryqin e Kuq, kanë biseduar me mua si po shkon puna, u kam sqaruar punën e popullatës, stresin e popullatës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vizita e tyre është bërë rreth fundit të marsit apo fillimit të prillit të vitit 1999.

Atë natë në mbrëmje kur kanë ardhur kanë bujtur të shtëpia e axhës tim, kanë qëndruar tërë natën, të nesërmen tërë ditën kemi biseduar me popullatë nëpër lagje, edhe unë kam qenë bashkë me ta, i kemi vizatuar popullatën, kemi biseduar me popullatë, Salihu u ka dhënë mbështetje morale, mos u frikësoni, nuk kanë punë me ju, kanë punë me ne, por ja hyri edhe NATO… Nëse nuk gaboj ka qenë fundi i marsit, fillimit i prillit, tash nuk më kujtohet a ka qenë data 30 mars apo 2,3,4 prill, por në atë periudhë prej datës 30 deri 4 prill, nuk më kujtohet dita saktësisht, po e di që ka qenë fundi i marsit dhe fillimit i prillit”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë të pa-armatosur dhe se me vete kanë pasur çantë dhe fletore në të cilën sipas tij merrnin shënime nga ato çka u thoshin banorët.

Këta kanë qenë të interesuar të marrin informacione nga popullata sesi po zhvillohet puna aty, apo kemi maltretime, a po kemi probleme, a po na maltreton kush, ne u kemi sqaruar që këto gjëra i kemi pasur probleme dhe u kemi shpjeguar krejt, po du me thënë në lagjen tonë aty”, ka thënë ai.

Ademi ka thënë se pas qëndrimit një natë në shtëpinë e familjarit të tij, pjesëtarët e UÇK-së janë larguar në drejtim të Llapit.

Dëshmitari ka thënë se Salih Mustafën e kishte takuar edhe më parë në zyret e kryqit të kuq, para bombardimeve të NATO-s.

Ai ka thënë se për Mustafën e ka njohur që është pjesë e UÇK-së por nuk ka ditur më shumë rreth tij.

/GazetaSinjali/