Përderisa numri i rasteve me COVID-19 ditëve të fundit ka shënuar rritje, ndërsa qeveria dhe institucionet shëndetësore po apelojnë për zbatim të masave, duket se për kafeterinë “Etno” në Gjakovë kjo nuk vlenë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizues të Gazetës Sinjali kanë dërguar video të filmuar sonte rreth orës 22:05, nga e cila rezulton se numri i personave në kafeterinë e lartëpërmendur është tejet i madh dhe muzika vazhdon t’i argëtojë edhe pas orës 21:00.
Qeveria e Kosovës më 25 shtator ka marrë vendim që prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafeteritë dhe të ngjashme) të ndalohet muzika. Ndërsa, gjatë orarit të punës duhet të respektojnë distancën prej 2 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe të mbajnë dezinfektantët për duar në çdo tavolinë, të cilat mund të shfrytëzohen nga klientët.
Kujtojmë se, në një aksion të organizuar mbrëmë në Prishtinë nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati janë mbyllur disa kafeteri, të cilat siç njoftoi ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë shkelur rregullat, duke u grumbulluar shumë njerëz në hapësira të vogla. /Gazeta Sinjali/