46 persona humbën jetën pasi që autobusi me të cilin po ktheheshin nga Stambolli për në Shkup, u aksidentua dhe u përfshi nga zjarri në Autostradën Struma, rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në Bullgari, në orët e para të mëngjesit të sotëm, raporton Gazeta Sinjali.
Vetëm shtatë nga 53 pasagjerët që ndodheshin në autobus arritën të shpëtonin të gjallë.
Në mesin e të mbijetuarve është edhe çifti shqiptar, Lulzim Sulejmani nga Presheva dhe Medina Lutfiu nga Sopoti i Kumanovës.
Lulzimi dhe Medina kanë pësuar lëndime në këmbë e duar duke thyer xhamat gjatë përpjekjes për të dalë nga autobusi që mori flakë.
Babai i Medinës, Besnik Lutfiu ka rrëfyer për Gazetën Sinjali pritjen me ankth për të marrë një informacion nga e bija dhe dhëndri i tij, si dhe për gjendjen shëndetësore të tyre.
Lutfiu tha se kishte dalë qysh para orës 05:00 të mëngjesit për t’i pritur në Kumanovë të bijën dhe dhëndrin e tij që po ktheheshin me autobusin e “Besa Trans” nga Stambolli dhe se lajmin që një autobus është aksidentuar e kuptoi në Facebook.
Ndonëse nuk e dinte se për çfarë autobusi bëhej fjalë, ai kishte marrë rrugën për në Shkup për tek agjencioni me të cilin kishte udhëtuar e bija e tij me dhëndrin.
Aty Besnik Lutfiu takoi edhe shumë persona të tjerë që po ashtu ishin merakosur dhe prisnin informacione për familjarët e tyre.
“Po, kanë qenë në autobus. Zoti kish dashtë që ata me shpëtu. Mirë janë, kemi bisedu, në spital janë. Vajza e ka këmbën e thyme, kurse dhëndri edhe ai ka lëndime në këmbë, po edhe duart i ka të preme, duke i thy xhamat. Dhëndri është i Preshevës. Kemi kontaktu më herët, tash nuk po kanë rrjet a nuk po di, po vllavi dhe ata nipat dhe çika janë nisë për në Bullgari. Tash jemi duke prit me i kontaktu ata, çka po na thonë.”
“Unë kom pasë me dalë me i prit në Kumanovë, ne jemi prej fshatit Sopot dhe unë shkova para orës 5 te një pompë e benzinës dhe pritsha, po koha ftoftë dhe thash hajt të hy në Facebook. Kur këqyra një autobus është aksidentu, po nuk e disha i cilit agjencion është. U bona marak, se vajza ishte duke u kthy prej Turqisë. Ia sillsha numrin, nuk e çelshin. Prita deri në 6:30, në 6:30 hajt shkoj te kafja ta marr një kafe aty, ta marr numrin e agjencionit. Shkova aty, e lajmërova agjencionin, më thanë nuk kemi njohuri ende.”
Medina i ishte lajmëruar babait të saj rreth orës 09:30 për t’i konfirmuar se kishte qenë në autobusin që është aksidentuar, por që ajo dhe bashkëshorti i saj kanë shpëtuar.
Ani pse ishte përmbajtur deri në ato momente, pasi që e ka mbyllur telefonin, ai thotë se ia ka plasur vajit.
“U nala pak, u dashke ma majt veten, as nuk kallxojsha te shpija, se këta flejt. Mas nja 10 minutave e thirra prapë, tha po autobusi jonë është. Janë kanë katër autobusa. Dikur e thirra nipin me shku në Shkup te agjencioni. Kur mrrinëm atje, kish pasë edhe të tjerë njerëz të interesum për familjarët e vet. Agjencioni mshel, kur në ato momente u lajmëru dhëndri prej spitalit, tha mirë jemi. Deri qaty mirë u majta, po më nuk mujta dhe qaty qajta. Aksident i rëndë, ka shumë të rinj”, rrëfeu ai për Sinjalin.
Për t’i vizituar të rinjtë të cilët bashkë me pesë të mbijetuarit e tjerë po trajtohen në spitalin “Pirogov”, në Sofje, rrugën për në Bullgari e kanë marrë xhaxhai, kushërinjtë, motra e Medinës, si dhe daja dhe nëna e Lulzimit.
Megjithëse kishte biseduar me ta në telefon dhe ishte siguruar që janë mirë, një lajm i rremë në media se Medina dhe Lulzimi janë në mesin e viktimave, kishte tmerruar familjen.
Mirëpo, pas bisedës me zëvendëskryeministrin, Bujar Osmanin, babai i Medinës thotë se i ishte rikonfirmuar që e bija dhe dhëndri janë gjallë.
“U shfaq edhe një dezinformatë, një foto e çikës me dhëndrin që kanë ndërru jetë. Unë veç sa kisha bisedu, prapë ma shtun një dyshim, thash hej more Zot. E lajmërova zëvendëskryeministrin, Bujar Osmanin, ai është atje në Bullgari dhe ai më tha veç sa dola tha vajza e Sopotit dhe djali i Preshevës mirë janë, pritet me ju bë intervenime për lëndimet ku i kanë. Qeto janë informatat e fundit dhe t’u prit jemi”, tha ai.
“Jemi trondit, shumë rast i rëndë, nuk po di qysh me e përshkru më, nuk e di”, përfundoi Besnik Lutfiu, duke u lutur që të gjithë të mbijetuarit të shërohen sa më shpejt dhe raste të tilla të mos përsëriten më kurrë./Gazeta Sinjali/